Sëmundja e shekullit – Sëmundja që vret

AIDS-i (Acquired Immune Deficiency Syndrome) apo SIDA është një grup i
sëmundjeve që janë si pasojë e shkatërrimit të sistemit mbrojtës (imunitar) të njeriut
i shkaktuar nga virusi i njohur si HIV (Human Immunodeficiency Virus – virusi i
imunodefiçencës humane). Ky shkaktar gjendet në sekrecionet e organeve gjenitale
dhe në gjak.
Me hyrjen në organizmin e njeriut HIV-i shkakton shkatërrimin e sistemit imunitar.
Organizmi tek i cili është shkatërruar forca mbrojtëse-imuniteti bëhet i ndjeshëm në
çdo infeksion të mëvonshëm. Për shkak të kësaj, organizmi nuk ka mundësi të luftojë
kundër infeksioneve dhe tek të sëmurët nga AIDS-i lajmërohen shumë sëmundje të cilat
nuk mund të shërohen edhe pse përdoren barëra të ndryshëm.
Përhapja e SIDA-s, ka hyrë tashmë në dhjetëvjeçarin e tretë, duke u bërë shkaku
i katërt më i rëndësishëm i vdekjeve në botë. HIV/AIDS ka vrarë më shumë se 3.1
milionë njerëz deri më tani, dhe mendohet se 4.9 milion njerëz e kanë marrë virusin e
imunodefiçencës njerëzore (HIV), duke e çuar në 39.4 milionë numrin e njerëzve që
jetojnë me këtë virus në të gjithë botën.[1]
HIV-AIDS prek kryesisht të rinjtë dhe përhapet me shpejtësi tek grupet tejet të
prekshme. Këto grupe përfshijnë përdoruesit e drogave që merren me injeksion, ofruesit
e seksit për para dhe të burgosurit. Njerëzit me HIV mund të mbesin të infektuar për vite
me radhë pa e ditur këtë gjë.
HIV/AIDS dhe Ballkani. Sa të rrezikuar jemi?
Tani për tani vendet e Ballkanit kanë një normë të HIV/AIDS nën 0.1%. Këto vende
të mbuluara nga studimet, kanë raportuar rreth 2.000 raste me HIV/AIDS qysh prej
fillimit të epidemisë në vitin 1985. Në të gjitha vendet, normat e infektimit tek meshkujt
i kalojnë ato të femrave. Përhapja e infeksionit është kryesisht seksuale, përkundër
përqendrimit të epidemisë tek përdoruesit e drogave nëpërmjet injektimit.
Megjithatë këto të dhëna duhet të interpretohen me kujdes. Në çdo vend mbetet
problem kryesor pasaktësia e të dhënave. Rastet e raportuara zyrtarisht të infektimit
dhe të sëmundjes shpesh përfaqësojnë vetëm 10-20% të numrit të vërtetë të rasteve.
Përqindja e HIV/AIDS në Ballkan është shumë e ulët dhe është e vështirë të
identifikosh modele të qarta të transmetimit dhe prirjet e mundshme. Përkundër
përqindjes dhe rastshmërisë së ulët, rreziku i një epidemie është i ndjeshëm. Ekzistojnë
disa faktorë të cilët mund ta ushqejnë epideminë përmes krijimit të një mjedisi në të cilin
individët kanë më shumë gjasa të angazhohen në një sjellje me rrezikshmëri të lartë.
Ballkani ka vuajtur nga konflikte të ashpra si pasojë e të cilëve me mijëra persona janë
zhvendosur, janë sjellë forca paqeruajtëse ndërkombëtare dhe punonjës të huaj në
rajon, është thelluar varfëria dhe papunësia, sidomos tek të rinjtë dhe është lehtësuar
trafikimi i grave dhe i fëmijëve dhe është shtuar puna seksuale komerciale. Nivelet

e njohurisë për epideminë dhe për parandalimin e HIV/AIDS janë shumë të ulëta.
Po ashtu, konfliktet e luftërave dhe kalimi drejt një ekonomie tregu kanë ndihmuar
në prishjen e shërbimeve të shëndetit publik dhe kanë vonuar ngritjen e rrjeteve të
përshtatshme për parandalimin e HIV.
Në Shqipëri, mbi 70% e rasteve të raportuara mendohen se e kanë marrë
infeksionin jashtë vendit, çka thekson rëndësinë e ndikimit të migrimit.
Tiparet më mbresëlënëse në Ballkan janë mjediset me rrezikshmëri të lartë. Të
gjithë faktorët kryesorë të cilët mund të shërbenin si faktorë kontribuues për shpërthimin
e epidemisë së HIV/AIDS janë të pranishme në Ballkan. Paqëndrueshmëria e rëndë
politike, luftërat, kriza ekonomike dhe migrimi në rajon gjatë dhjetë viteve të fundit kanë
krijuar varfëri dhe paraqesin sfida të mëdha të cilat i kanë prekur të gjitha vendet, ku
më shumë e ku më pak. Këta faktorë kanë krijuar gjithashtu edhe kushtet strukturore të
nevojshme për të nxitur pikërisht atë lloj sjellje të rrezikshme dhe ndryshime kulturore të
cilat krijojnë prekshmëri ndaj HIV dhe SST (Sëmundjet seksualisht të transmetueshme),
përfshirë edhe rritjen e përdorimit të drogave përmes injektimit, punën seksuale
komerciale dhe migrimi, si edhe prishja e marrëdhënieve dhe e zakoneve familjare
tradicionale. Në të njëjtën kohë, këto vende kanë bërë largimin nga sistemet e shëndetit
publik, të arsimit dhe të përkrahjes sociale të tipit dhe kanë bërë përpjekje për t’i
reformuar të gjendur përballë shkurtimeve të burimeve për këto sisteme.
Të gjitha vendet ballkanike kanë filluar të marrin masa parandalimi dhe mbajtjen
nën kontroll të HIV/AIDS. Sidoqoftë, masat e hershme dhe të përshtatshme për të
parandaluar HIV/AIDS dhe epideminë e infeksioneve të transmetueshme seksualisht
ndryshojnë nga njëri vend tek tjetri.
Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë fonde të kufizuara, sisteme
të pazhvilluara ose të rrënuara të shëndetit publik dhe pak OJQ që të mund t’i
plotësojnë si duhet nevojat e grupeve të pambrojtura dhe grupeve shumë të
cenueshme. Në shumicën e vendeve strukturat institucionale të shëndetit publik janë
shumë të copëtuara dhe të shkëputura nga drejtimi politik dhe financimi. Kjo e bën
bashkërendimin dhe koherencën shumë të vështirë brenda sektorit të shëndetësisë, për
të mos folur me sektorët e tjerë.
Konkluzioni
Rinia është grupi i cili fillon të ballafaqohet me alkoolin, drogat dhe seksin. Duke
u nisur nga supozimi se përhapja e AIDS-it më së shpeshti bëhet përmes përdorimit
intravenoz të drogave si dhe seksit të pambrojtur, rinia duhet informuar dhe vetëdijësuar
lidhur me atë se si mund të marrin vendime të bazuara në informata të sigurta për
AIDS-in. Përdorimi i alkoolit dhe drogave pos dëmeve të tjera ngushton edhe vetëdijen
dhe mundësinë e sjelljes së vendimeve të pjekura dhe të shëndosha, që mund të shpie
shumë lehtë rreth atyre momenteve që mund të rezultojnë me infeksionin HIV si dhe më
vonë me praninë e kompleksit të AIDS-it.
Duke u nisur nga fakti se të rinjtë janë grupi më i rrezikuar nga AIDS-i, përkatësisht

nga infeksioni HIV, mosinformimi i tyre do të ishte një diskriminim ndaj integritetit
të tyre dhe se për një gjë të tillë janë përgjegjës të gjitha strukturat shoqërore si ato
profesionale mjekësore, ato edukative dhe po ashtu edhe të gjitha ato të cilat kanë
mundësi për t’i dalë në ndihmë rinisë. Në këtë grup mund të numërojmë edhe vetë
grupet brenda rinisë që duhet të iniciojnë aktivitete si ato edukative po ashtu edhe
mobilizuese të shoqërisë në mënyrë që inkuadrimi të jetë gjithëpërfshirës.
Përvoja e deritanishme tregon se të rinjtë më së shpeshti janë të interesuar në lidhje
me vendimmarrjen, mënyrën e përhapjes konkretisht të pengimit të infeksionit me HIV si
dhe vetë kompleksin e AIDS-it.

[1] UNAIDS 2003. Përditësimi i epidemisë së SIDA, Gjenevë: UNAIDS.

 

Mr.Arta TAHIRI

Share

Pin It

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>