RRËFIM TË VËRTETA – XHUBEIRI DHE ZULFA

-Sa mirë do të ishte që të kishe marrë nuse dhe të krijoje një familje, e ta lije këtë jetë prej beqari, që edhe ti t’i plotësoje dëshirat e tua edhe gruaja të ishte ndihmë për ty, si në këtë botë ashtu edhe në ahiret.

 

-O Pejgamber! S’kam as pasuri e as bukuri. Kush është ai që do më japë mua nuse? Dhe kush është ajo vajzë që mund  të pëlqejë një burrë të varfër, me trup të shkurtër e ngjyrë të zezë?

 

-O Xhubeir! Zoti i ka ndryshuar vlerat e njerëzve me anë të Islamit. Shumë njerëz në kohën e xhahilijetit ishin të nderuar e tashmë nuk respektohen, e shumë të tjerë ishin të parespektuar e tashmë respektohen. Tani vlera e njeriut nuk është më të kesh pasuri, apo të jesh kurejsh, apo të jesh arab. Tek Zoti është më i miri ai që ka devotshmërinë më të madhe. Për mua, mes muslimanëve më i lartë është ai që është më i devotshëm. Dhe tani vepro ashtu si të urdhërova.

 

Këto fjalë Pejgamberi (s.a.a.) ia tha Xhubrejit kur shkoi ta vizitonte “as’hab Saf”-in.

Xhubeiri ishte nga Jemame. Atje ai dëgjoi për Pejgamberin (s.a.a.) dhe për ta njohur më mirë udhëtoi për në Medinë. Pasi u njoh me fenë islame u bë musliman. Vërtet që ishte i varfër dhe me trup të shkurtër e lëkurë të zezë, por ishte shumë i zgjuar. Në Medinë ai nuk kishte të njohur, as shtëpi e as pasuri. Me lejen e Pejgamberit (s.a.a.) ai flinte në xhaminë “Besr”, ashtu si edhe të tjerë që kishin ardhur nga qytete të tjera, të cilët nuk kishin shtëpi dhe jetonin në atë xhami, derisa Pejgamberit (s.a.a.) i zbriti ajeti kur’anor: “… xhamia nuk është vend për të jetuar”. Kështu që këtyre njerëzve iu desh të jetonin jashtë xhamisë. Prandaj, me urdhër të Pejgamberit, për ta u ndërtuan çadra që të jetonin në to dhe ai vend u quajt Saf. Ata që jetonin në të u quajtën “As’hab Saf”. Pejgamberi (s.a.a.) dhe shokët i ndihmonin me ushqimet dhe mjete të nevojshme për jetesë.

Një ditë, kur Pejgamberi kishte shkuar t’i vizitonte, atij i shkuan sytë te Xhubeiri dhe mendoi se si ta nxirrte nga kjo gjendje e ta martonte. Mirëpo kjo ishte gjëja e fundit që i shkonte në mend Xhubeirit, pasi me gjendjen që kishte ai as që mendonte që një ditë të mund të krijonte familje, derisa Pejgamberi i bëri propozimin për t’u martuar. I çuditur nga kërkesa e Pejgamberit, ai iu përgjigj: “A është e mundur që të më japë kush grua?” Pejgamberi shumë shpejt ia korrigjoi gabimin, duke i treguar ndryshimin që ka Islami dhe xhahilijeti dhe e siguroi e i dha shpresë Xhubeirit. Ai e urdhëroi që të shkonte në shtëpinë e Ziad bin L’bid Ensarit dhe t’i kërkonte vajzën Zulfa për nuse. Ziad bin L’bid Ensari ishte një nga pasanikët e Medinës dhe gëzonte respektin e të gjithëve, sidomos të të afërmve të tij. Kur Xhubeiri hyri në shtëpinë e tij gjeti shumë prej të afërmve të tij. Pas disa minutash heshtje, ai e ngriti kokën lart dhe i tha Ziadit: “Më ka dërguar Pejgamberi që të them diçka. Ta them në veçanti apo në publik?” “Lajmi i Pejgamberit për mua është krenari. Thuaje në publik!” – ia ktheu Ziadi.

“Pejgamberi më ka dërguar që të kërkoj për nuse vajzën tënde, Zulfën.”

Ziadi e pyeti i çuditur: “Pejgamberi vetë ta tha këtë gjë?”

“Unë nuk flas nga vetja ime. Të gjithë më njohin dhe nuk jam gënjeshtar,” – u përgjigj Xhubejri.

“Çudi! Ne s’e kemi zakon që vajzat tona t’i martojmë jashtë familjes. Ti ik se unë shkoj vetë te Pejgamberi dhe do flas me të për këtë çështje.”

Xhubeiri u ngrit nga vendi dhe doli jashtë dhe në kohën që po shkonte drejt daljes tha me zë të ulët: “Betohem në Zot se ajo që po thotë Ziadi nuk është ajo që thuhet në Kur’an dhe në traditën e Muhamedit”. Të gjithë të pranishmit e dëgjuan atë çka pëshpëriti Xhubeiri. Zulfa, vajza e Ziad bin L’bid Ensarit, që ishte e njohur për zgjuarsinë dhe bukurinë e saj, kur i dëgjoi fjalët e Xhubeirit shkoi pranë të atit që të merrte vesh si ishte puna. “Baba! Çfarë po fliste me vete ky burrë që u largua nga shtëpia dhe pse e tha atë fjalë?” I ati iu përgjigj: “Ky burrë erdhi për të kërkuar dorën tënde dhe pretendonte se e kishte dërguar Pejgamberi.”

- Po sikur vërtet ta ketë dërguar Pejgamberi dhe ti e përzure dhe refuzove urdhrin e tij?

- Sipas teje ç’të bëj?

-Sipas meje shko me vrap dhe ktheje atë para se të shkojë t’i tregojë Pejgamberit, ndërsa ti vetë shko e pyete Pejgamberin si është puna.”

Ziadi e ktheu me respekt Xhubeirin në shtëpi dhe vetë shkoi te Pejgamberi për të sqaruar atë çka i kishte thënë Xhubeiri. Sa e pa Pejgamberin i tha: “O i Dërguar i Zotit! Xhubeiri ka ardhur në shtëpinë tonë dhe më ka dhënë këtë lajm nga ana jote. Dua të them se zakoni ynë është që vajzat t’i martojmë me të afërmit tanë dhe vetëm me ensarë.”

Pejgamberi i tha: “O Ziad! Xhubeiri është besimtar dhe ajo çka ti mendon ka ikur. Një burrë besimtar duhet të ketë një grua besimtare.”

Ziadi rendi për në shtëpi dhe i tregoi vajzës së tij, Zulfës, për ngjarjen.

Ajo i tha: “Sipas meje nuk duhet ta neglizhosh propozimin e Pejgamberit. Kjo gjë më takon mua. Sido që të jetë Xhubeiri, unë do jem e kënaqur sepse Pejgamberi është i kënaqur.”

Ziadi e martoi Zulfan me Xhubeirin dhe mehrin ja dha nga pasuria e vet, po ashtu dhe pajën. Ai e pyeti Xhubeirin nëse kishte shtëpi ku do të jetonte me nusen dhe ky iu përgjigj: “Kurrë s’e kisha menduar se do kisha grua dhe familje. Ishte Pejgamberi ai që më sugjeroi të vija të kërkoja nuse.” Ziadi i dha, nga pasuria e tij, shtëpi, rrobat që i duheshin dhëndrit dhe gjithçka që u nevojitej. Nusen e rregulluan, e parfumuan dhe pastaj e çuan te shtëpia që kishin bërë gati për Xhubeirin. U bë natë dhe, pasi Xhubeiri nuk e dinte se ku dhe çfarë shtëpie kishin zgjedhur për të, atij ia treguan vendin ku ndodhej shtëpia.

U nis për atje dhe kur arriti pa se sa shtëpi të bukur i kishin bërë, se sa bukur ia kishin rregulluar dhe se çfarë nuse e bukur i kishte rënë në risk. Dhe ai ra në mendime: “Unë isha i varfër dhe i vetëm kur u futa në këtë qytet. Nuk kisha asgjë, as pasuri, as bukuri, asgjë prej gjëje. Zoti me anë të Islamit m’i dha gjithë këto të mira e gjithë këtë pasuri. Ky është Islami që i ka ndryshuar njerëzit dhe as që mund ta mendonte kush. Sa shumë duhet të falënderoj Zotin! Dhe në atë kohë shkoi në cep të dhomës dhe vazhdoi të adhuronte Zotin e të këndonte Kur’an. Papritur dëgjoi ezanin e mëngjesit dhe bëri nijet që të agjëronte atë ditë për të falënderuar Zotin. Kur gratë shkuan të takonin Zulfan e gjetën të paprekur dhe e kuptuan se Xhubeiri nuk i ishte afruar Zulfas. Kaluan dy net e dy ditë dhe Xhubeiri ditën agjëronte, natën adhuronte Zotin dhe këndonte Kur’an. Familja e nuses filluan të mendonin se Xhubeiri është sëmurë dhe se nuk ka nevojë për nuse dhe e detyruan t’i tregonin Ziadit, kurse ky shkoi te Pejgamberi dhe i tregoi për këtë çështje. Pejgamberi e thirri Xhubeirin dhe i tha: “Ti nuk ke dëshirë të kesh grua?”

“Si jo? – u përgjigj ky. – Kam shumë dëshirë të kem grua.”

“Po përse deri tani nuk ke shkuar tek ajo?”

“O i dërguari i Zotit! Kur u futa në atë shtëpi dhe e pashë veten mes gjithë atyre të mirave, mendova se sa shumë të mira më ka dhënë Zoti. Ndjeva se para gjithçkaje duhet ta falënderoja Atë për mirësinë që më dha. Dhe që sonte do shkoja afër bashkëshortes.”

Pejgamberi ia tregoi gjithë ngjarjen Ziad bin L’bid. Xhubeiri dhe Zulfa jetuan bashkë shumë të lumtur dhe të kënaqur nga njëri-tjetri. Ndërkohë po kanosej një luftë. Xhubeiri, me gjithë besimin dhe dashurinë që kishte për Islamin, mori pjesë në xhihad dhe ra shehid. Pas shehadetit të Xhubeirit, asnjë grua nuk pati aq kërkesa sa Zulfa. Dhe për asnjë grua nuk u harxhuan aq para sa ç’u harxhuan për Zulfan.

 

Share

Pin It

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>