LINDJA E BEKUAR E PRIJËSES SË GRAVE TË XHENETIT

Ikballe Berisha Huduti

 

Të gjithë muslimanët e botës festojnë ditëlindjen e vajzës së dashur të Pejgamberit Muhamed – paqja e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij. Fatime Zehras selamullahu alejah-paqja qoftë mbi të,  me jetën e saj të shkurtër ndriçoi si një yll flakërues në gjithë shoqërinë.  Ajo ishte një pasqyrim i madhështisë së gruas, ishte një shembull i krijimtarisë së Allahut të Lartësuar.

Pa dyshim, Hazreti Fatimja është shquar si figura më e dashur e fesë, e etikës morale, e virtytit, e kulturës dhe e devotshmërisë. Nuk mund të gjendet  shembull më i bukur, para e pas saj, deri në Ditën e Kiametit. Ne, umeti musliman, krenohemi me virtytet e  Hazreti Fatimes (s.a.). Është e mjaftueshme që i Dërguari i Allahut është babai i saj, është e mjaftueshme që bashkëshorti i saj është Imam Alia (paqja qoftë mbi të), udhëheqësi  më i përkryer i besimtarëve, është e mjaftueshme që Hazreti Fatimja është nëna e Imam Hasanit dhe Husejnit (paqja qoftë mbi ta) si dy personalitete të shquara të dy botëve.

Lindja e bekuar        

Ishin vitet e para të  predikimit të fesë islame në Gadishullin Arabik, dita e njëzetë e muajit të shenjtë Xhemadul Ahir. Nëna Hatixhe Kubra dhe babai i dashur, Pejgamberi  Muhamed (s.a.a.), shkëlqenin nga gëzimi i lindjes së kësaj vajze të vogël, të veçantë nga të gjitha foshnjat e tjera që kishin më parë. Ishte e veçantë sepse kishte lindje të veçantë, si askush më parë.

Askush nuk dëshironte ta ndihmonte lehonën e ardhshme, Hazreti  Hatixhen (Allahu qoftë e kënaqur me të). Kishin xhelozi  sepse ajo ishte gruaja e mashkullit më të mirë të Medinës dhe  ajo kishte një shtatzënësi të çuditshme si kurrë ndonjëherë. Prania e saj në çdo vend kundërmonte një aromë të këndshme xheneti. Fytyra e Pejgamberit, kur shikonte fytyrën e Hatixhes, jepte një shkëlqim të dyanshëm dhe ndriçonte një dritë e papërshkruar që foshnja e ndiente në trupin e nënës së saj. Mrekullia e Zotit ishte se foshnja fliste me nënën e saj ende pa ardhur në këtë dynja. Shpirtrat e ndienin  shpirtin e vogël. U bashkuan tri drita të papërshkruara për të dhuruar  trashëgiminë e pafund  të imamëve të pagabueshëm.

Megjithatë, kur iu afrua koha e lindjes, Hatixhes iu largua frika sepse u përgëzua me praninë e katër zonjave të xhenetit, të cilat me butësi, shenjtëri dhe bukuri të papërshkruar hynë në shtëpinë e Ehlul Bejtit (Familjes ë Pejgamberit).

-E para tha: “Unë jam nëna jote, Hava.”

-E dyta tha: “Unë jam Ummi Kulsumja, motra e Musait.”

-E treta tha: “ Unë jamë Asija Bint Muzaim.”

-E katërta tha: “Unë jam Merjemjam, nëna e Isasë.”

- Kemi ardhur të të ndihmojmë! – thanë të gjitha së bashku.

Lindja e Fatimes s.a. ka qenë një lindje e veçantë, sepse ajo nuk ka lindur për të jetuar, por ka ardhur në këtë botë që të mund të  lindë në botën tjetër dhe të jetë lidere e xhenetit me gratë më të çiltra, më të pastra, më të devotshme që e meritojnë praninë e saj.  Allahu ka treguar me qenien, etikën, edukatën, përsosmërinë, sinqeritetin, çiltërsinë, mëshirën, devotshmërinë dhe sakrificën e saj,  se njeriu i thjeshtë nuk mund t’i posedojë të gjitha këto virtyte, përveçse nëse e merr si shembull Hazreti Fatimen (s.a.), babanë e saj Pejgamber, burrin dhe fëmijët e saj lider.

Ajo është lindur nga zanafilla e Dritës, është ngjizur nga trupi i Dritës, ka ardhur në këtë botë  nga duart e Grave të Dritës, është rritur duke e parë dritën e shenjtë të Xhebrailit që fliste me babanë e saj dhe ka jetuar me grimcat e dritës, gjersa është takuar me Dritën më të madhe që ka qenë pjesë e dritës së saj.

Ajo nuk është asgjë tjetër veçse Dritë.

 “Zjarr nuk është, ndoshta dritë është.

 Dritë e dritës, në emër të Zotit Dritë,

 Dritë përmbi drita, dritë mbi të gjitha dritat, është pra Fatimja”

 

Tiparet dhe virtytet e saj të bekuara

 

Ngjizja e Fatimes (s.a.) në trupin e nënës Hatixhe ishte një porosi nga Allahu që Ai ia përcolli  të Dashurit të tij, gjersa ai ishte në Miraxh, ndërsa molla e xhenetit që ia dhuroi Meleku Xhebrail  ishte eliksir i dashurisë hyjnore në mes çiftit të mrekullueshëm.

Fatimja s.a. nuk kishte vëllezër për të lozur me ta, por ajo e donte aq shumë babanë e saj sa që nuk e ndjeu mungesën e vëllait, bile përkundrazi, ajo që nga fëmijëria e saj e ndjeu kënaqësinë dhe  përgjegjësinë se duhej të kujdesej për babanë e saj me një fuqi dhe guxim mashkullor, sa herë që të paraqitej nevoja.

Duart e saj të vogla shumë herë janë gëzuar, sepse sa herë që hynte  brenda në shtëpi, babai ia puthte me buzë të ngrohta dhe i ledhatonte me mjekrën e tij.  Ato duar të vogla shpesh herë kanë qenë të zëna duke ia pastruar fytyrën e babait,  për t’ia parë shikimin e pikëlluar që i sillnin mushrikët e pandershëm.

Sytë e saj ishin ngjyrë gështenje. Kur nguliteshin në një vend, ato rrëfenin shumë. Lëkura e bardhë, me një hije të shkëlqyer, ia vinte në dukje vetullat e saj si hëna pesëmbëdhjetëshe. Sytë e saj panë shumë: panë vdekjen e nënës që në fëmijëri, por panë edhe dritën e Xhebrailit kur fliste me babanë e saj. Pejgamberi e mësonte se shikimi i fëmijës  në sytë e prindërve është ibadet (vepër adhurimi), andaj ata babë e bijë ishin si bebëza e syrit të njëri-tjetrit.

Të folurit  e saj që nga fëmijëria ishte i lidhur me zemrën dhe arsyen. Ajo fliste fjalë të shenjta që nga fëmijëria e hershme, pasi ishte rritur me fjalë  kur’anore nën hijen e Shpalljes. Rrjedhshmërinë e të folurit e trashëgoi nga babai i saj, e më pas e përforcoi nga burri i saj, Imam Aliu (r.a.)  Kur fliste Fatimja, njerëzit shpesh përloteshin nga fjalët e saj. Fjalët e saj ishin të drejta, të sinqerta, të matura, të zgjuara dhe të çiltra. Fjalët e saj të jepnin besim e vullnet për të ardhmen. Ajo nuk fliste kurrë fjalë pesimiste, por tiparet e fytyrës së saj flisnin për një optimizëm që i nxiste njerëzit që ta pranonin Islamin me dashuri e jo me frikë.

Ecja e Fatimes (s.a.) ishte e njëjtë si e babait të saj. Kishte aq shumë ngjashmëri në të ecur, sa që ata nuk ishin dy persona, por ata në esencë ishin një. Prandaj i Dashuri i Allahut shpeshherë thoshte: “Fatimja është pjesë e trupit tim. Fatimja është nga unë. Çka jam unë për burrat, Fatimja është për gratë.”

Jeta e Fatimes është legjendë mbi legjendat, roman mbi të gjitha romanet  e vërteta, elegji mbi të gjitha elegjitë, shenjtëri mbi të gjitha shenjtëritë, mesazh mbi të gjitha mesazhet.

 

Share

Pin It

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>