LINDJA DHE JETA E HZ. FATIMES s.a.

U lind pesë vjet pas shpalljes së Kuranit a. m., ditën e 20-të Xhumadul-Ahir, nga nëna Hatixhja e babai Muhammedi s. a. v. s. Hz. Hatixhja r.a. na rrëfen se kur erdhi koha e lindjes, dërgova të thirrin disa gra kurejshite, mirëpo ato refuzuan të më ndihmonin pasi që isha gruaja e Muhammedit. Megjithatë, kur filloi lindja, katër gra, bukuria dhe butësia e të cilave nuk mund të përshkruhet, hyrën në shtëpi.

 

E para foli: “Unë jam nëna jote, Hava.

E dyta tha: Unë jam Ummu Kulsum , motra e Musës.

E treta tha: Unë jam Asija Bint Muzahim ( Gruaja e Faraonit),

E katërta tha: Unë jam Merjemja, nëna e Isës, – kemi ardhur të ndihmojë.”

Kur njerëzit dëgjuan se Muhammedit s. a. v. s i lindi vajzë ata i thoshin: ‘O Muhammed tani je pa pasardhës – ebter, nuk ke djalë. Kur të vdesësh, emri yt do të tretet nga faqja e dheut. S’do të ketë njeri për ta vazhduar rrugën tënde.”

Kësi lloj ofendimesh i vinin Muhamedit s. a. v. s., në vend të urimeve, por Allahu, me rastin e lindjes së kësaj vajze të veçantë, i shpalli Pejgamberit s. a. v. s. suren Kevther:

 

                                             SURETUL EL-KEVTHER

                                          Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim

INNA EATAJNAKEL KEVTHER

FESAL-LI LI RABBIKE VENHAR

INNE SHANIEKE HUVEL EBTER

Që do të thotë:

                                           SUREJA: MIRËSITË E SHUMTA

                                               Në emër të All-llahut,

                                      Të gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

 

Ne të dhamë ty, me të vërtetë, të mira shumë të mëdha,

Prandaj falu dhe ther kurban për Zotin tënd!

Ai që të urren ty, me siguri, ai është fatprerë.

Kjo është sikur Muhammedit s. a. v. s. t’i ishte thënë se ti e ke humbur djalin, mirëpo Allahu xh. sh. të ka dhënë Fatimen. Ajo është e drejtë dhe e mirë dhe përmes saj do të japim shumë pasardhës. Ajo do të jetë nëna e dymbëdhjetë Imamëve.

 

                                                          EMRI FATIME

Pejgamberi i Allahut i kishte thënë Aliut r. a.: A e di përse Fatimja e ka marrë mu këtë emër?” Kur Aliu e pyeti për shkakun, Pejgamberi s. a. v. s. u përgjigj: “Pasi që ajo dhe ata që e duan janë të mbrojtur nga zjarri.”

Hazreti Fatimetuz-Zehra është e njohur me dhjetë emrat e saj të meritueshëm, siç janë:

FATIME-e mbrojtur nga zjarri

SIDIKE-e sinqertë,

BATULA-e virgjër, e pastër,

ZAHIRA-ndriçuese,

MUBAREKE-e bekuar,

TAHIRE-e pastër,

ZEKIJE-e urtë,

MUKADESE-person i cili i drejton melekët,

ZEHRA-shumë e bukur; dhe

RADIJETUL MERZIJE – ajo që është e shpërblyer dhe e kënaqur nga kjo.

FËMIJËRIA E FATIMES

Kur ishte ende vajzë dhjetëvjeçare, ajo shkonte kudo nëpër Meke me Pejgamberin e Islamit, babanë e saj. Askush nuk priste që një vajzë t’i shkonte përkrah në një situatë të atillë sociale, politike dhe ideologjike. Por Fatimja e ndiente veten përgjegjëse për fatin e Revolucionit Islamik, megjithëse, për nga mosha, ajo nuk mbarte përgjegjësi. Kështu ajo ishte pjesëmarrëse në çdo përleshje; ishte e pranishme kudo që Pejgamberi i Islamit ndodhej i vetëm kundër armikut. Raste të tilla janë shënuar shumë. P. sh. njëherë kur armiqtë e Pejgamberit hodhën pluhur mbi kokën e tij nga një ballkon, ishte Fatimja ajo që e pastroi fytyrën e Pejgamberit dhe ishte ajo që e ngushëlloi atë.

Pejgamberi dhe familja e tij u shpërngulën në luginën e shkretuar për tre vite me radhë. Heronj të tillë si Sad ibn Ebi Vakkas (oficeri dhe komandanti i famshëm), edhe disa vjet më vonë, kur kujtonte ato ditë, dridhej me tmerr. Përgjatë asaj kohe, kur e gjithë përgjegjësia për bllokadën, burgimin, poshtërimin,vetminë, urinë dhe vështirësitë e tjera, qëndronin mbi shpatullat e Pejgamberit, Fatimja ishte aty. Ajo përkëdhelte nënën e saj të moshuar dhe babanë e saj hero, e madje ajo ngushëllonte motrat e saj më të mëdha! Ajo ishte burimi i vetëm i dashurisë, butësisë dhe entuziazmit në këtë luginë të tmerrshme, gjatë atyre viteve të rënda e të vështira. Kur Pejgamberi migroi në Medinë, ajo mbajti supet e saj vështirësitë e kohës së migrimit.

 

                           FEJESA E FATIMES r. a. ME IMAM ALIUN r. a.

Prijësit e muhaxhirëve dhe ensarëve kërkonin të martoheshin me Fatimen, mirëpo Pejgamberi s. a. v. s. i refuzoi të gjithë me fjalët: “Po pres komandën e Allahut lidhur me martesën e saj.”

Pejgamberi u ul përball Fatimes dhe i tha: “Oj Fatime, oj drita e syve të mi. Ti e di raportin e Aliut ndaj nesh dhe besnikërinë ndaj Islamit. E kam lutur Allahun për njeriun me të mirë dhe më të dashur për ty. Tani Aliu ka shprehur dëshirë të martohet me ty, çfarë thua për këtë?”

Fatimja nuk u përgjigj, as shprehu kurrfarë shenje të pakënaqësisë, kështu që pejgamberi s. a. v. s u ngrit dhe tha: “Allahu është më i madhi! Heshtja e saj është miratim.”

Ibni Abbasi rrëfen: “Isha ulur me babanë dhe Pejgamberin s. a. v. s., kur në dhomë hyri Ali Ibn Abu Talibi dhe na dha selam.

Pejgamberi s. a. v. s., ia ktheu selamin dhe u ngrit në këmbë, kurse në buzë i shkrepi një e qeshur. Pastaj e përqafoi, e puthi në ballë dhe kërkoi të ulej pranë tij.

“O Pejgamber i Zotit, a e do shumë Aliun? - e pyeti babai im.

“ O axhë!”- u përgjigj s. a. v. s – “Allahu e do më shumë se unë. Vërtet, pasardhësit e çdonjërit prej pejgamberëve Zoti ka bërë që të jenë nga vetë ata, ndërsa për mua ka bërë që pasardhësit e mi të jenë nga ky këtu, pra, Aliu im. Dhe pastaj vazhdoi: “Sa i përket Aliut, ai është dhëndëri im dhe baba i pasardhësve të mi. Ai është nga unë e unë jam nga ai.”

 

                        MARTESA E IMAM ALIUT r. a. ME FATIMEN r. a.

Martesa e thjeshtë dhe pa harxhime të kota e hz. Fatimes është edhe një mësim tjetër i saj për ndryshimin e traditave të gabuara. Ajo u mëson grave që ajo çka është e rëndësishme për familjen është besnikëria, dinjiteti, serioziteti dhe bashkëjetesa në mes burrit dhe gruas.

Dhurata e martesës ishte vetëm 500 dërhem. Pejgamberi s. a. v. s. e pyeti Aliun r. a.: “Për Allahun, unë nuk kam asgjë që ti nuk di për të. Krejt ajo që posedoj është shpata, mburoja dhe deveja që e shfrytëzoj për ujitje.”

Pejgamberi i propozoi që ta shesë mburojën dhe ato para t’ia dhurojë Fatimes për mehr.

Imam Aliu r. a thotë: “Për Zotin kurrë nuk e kam zemëruar Fatimen apo detyruar të bëjë diçka që nuk ka dëshiruar. Mirëpo edhe ajo mua kurrë nuk më ka hidhëruar ose refuzuar të më dëgjojë. Në realitet, kur e shikoja, depresioni dhe pikëllimi më hiqeshin nga zemra…”

                                    IBADETI I HAZRETI FATIMETUZ ZEHRA r. a.

Imam Hasan el Basri thotë: “Nuk ka femër në këtë umet (popull) e cila do të ishte më e bindur tek Allahu se Fatimja. Ajo ka ditur të falej derisa i janë ënjtur këmbët.”

Në idat Ad-dai është shënuar: “Gjersa falej, Fatimja merrte frymë me rritëm të shpejtuar për shkak të frikës ndaj Allahut… Posaçërisht janë impresive duatë e saj drejtuar Allahut të Madhërishëm. Ajo e kuptonte thellësisht rëndësinë e ibadetit dhe duasë, ashtu që rrinte me kënaqësi para Zotit. Tërë kjo nuk ishte e çuditshme, ngase e shikonte babanë e saj që falej gjatë në orët e natës.

                                    TESPIHU I HAZRETI FATIMES r. a.

Në Daimul islam transmetohet nga Imam Ali r. a . “Një herë sunduesi i Persisë i kishte dhuruar Pejgamberit s. a. v. s  disa skllevër. I thashë Fatimes që të shkonte te babai i saj që të na falte një skllav për shërbëtor. Kur ajo shkoi, ai s. a. v. s. i kishte thënë: O Fatime, do të jap një gjë me të mirë se skllavi e shërbëtori dhe tërë bota dhe gjithë çka ka mbi të. Pas çdo namazi thuaj 33 herë Allahu ekber, 33 herë Elhamdulilah dhe 33 herë Subhanallah, në fund mbylle me La ilahe ilallah.” Nga e gjithë kjo ndodhi kuptojmë se feja islame ka ardhur për të zhdukur skllavërinë dhe njerëzit të jetojnë të lirë për veten e tyre.

                                         VDEKJA E HAZRETI FATIMES r. a.

Fatimja ka qenë bija e dashur e të Dërguarit. Pas vdekjes së të Dërguarit, asaj ia grabitën kullosat në Fedek dhe ia sulmuan shtëpinë. Atë e lënduan dhe, në muajin e gjashtë të shtatzënësisë, ajo humbi një djalë, Muhsinin. Prej atëherë, ajo i kalonte ditët vetëm me fëmijët, të cilët i merrte për dore dhe dilnin jashtë qytetit, në vendin e quajtur “Shtëpia e vajtimit”. Atje kishte zakon të ulej dhe të vajtonte.

Pas vdekjes së babait, kur ato ditë të vështira u rikthyen, ajo e filloi përpjekjen edhe një herë. Përgjatë krizave (kur të gjithë shokët e Pejgamberit dhe luftëtarët e Bedrit, Huneinit dhe Uhudit heshtën ne Medinë) kjo nënë e vetmuar nuk pushoi së rezistuari. Ajo e vazhdoi fuqishëm qëndresën. Edhe natën ajo vizitonte shokët e Pejgamberit dhe personalitete ndikuese politike. Ajo foli me miqtë e mëdhenj  të Pejgamberit dhe persona të rëndësishëm. Ajo u solli ndërgjegjësim të gjithëve. Ajo i kritikoi të gjithë; ajo shqyrtoi dhe parashikoi fatkeqësinë. Ky ishte roli i saj shoqëror që nga ajo kohë e deri sa ndërroi jetë. Me vdekjen e saj ajo krijoi një ngjarje politike.

Ajo kërkoi të varrosej natën. Pas vdekjes së saj, kujtimet, veprat dhe përpjekjet e saj krijuan një ringjallje në historinë islame. Ajo u bë manifestimi i kërkimit për drejtësinë dhe të vërtetën. Dëshirën e fundit e kishte që ta varrosnin natën, ashtu që ata të cilët ia mendonin të keqen, të mos mund t’ia gjenin as vendin se ku ishte varrosur.

Ajo vdiq në vetmi dhe në qetësi. Ajo i kërkoi Aliut ta varroste në fshehtësi, natën. Ja, kjo ishte një grua që e përdori edhe vdekjen e saj si mjet për të mbajtur gjallë luftën në rrugën e së vërtetës. Ja se ç’do të thotë të jesh grua muslimane sot!

Kjo është përmbledhja e tërë asaj që ka mbetur për këtë grua të madhe në kujtimet e njerëzve tanë. Mirëpo, përkundër njohurive të pakta që kanë për të, njerëzit tanë e pranojnë me gjithë zemër madhështinë dhe fuqinë e saj. Ata ia falin zemrën asaj me tërë fuqinë shpirtërore, me tërë besimin dhe vullnetin të cilin mund ta ketë apo mund ta krijojë bashkësia njerëzore.

 

 

 

Share

Pin It

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>