HAZRETI FATIMEJA – SHEMBULL I SHKËLQYER PËR FEMRËN MUSLIMANE -

Prof. Besa Gërgi

 

Në historinë e Islamit ekzistojnë shumë femra të devotshme dhe të dalluara. Janë të pakta ato të cilët mund ta arrijnë statusin e lartë të Fatime Zehra-s, nënës së 11 pasardhësve të Dërguarit të Shenjtë, sepse  Fatimeja (selamullahu aleja) është një femër e krijuar nga Allahu si shenjë e fuqisë së Tij të jashtëzakonshme dhe të pashembullt, shenjë e aftësisë së Tij për të krijuar një femër që zotëronte një karakter të lartë dhe talente të shkëlqyera. Në fakt, Allahu i Plotfuqishëm i dhuroi Fatimes (s.a.) një nivel të tillë të lartë madhështie, që asnjë femër tjetër nuk mund të pretendojë ta arrijë.

Është Fatime Zehra ajo që Allahu e lavdëron dhe që është i “kënaqur me kënaqësinë e saj dhe është i zemëruar me zemërimin e saj.” Dhe i Dërguari i Allahut (xh.sh.) e lavdëron fisnikërinë dhe personalitetin e saj të merituar, ndërsa Imam Aliu (r.a.) e shikon atë me respekt dhe admirim. Po ashtu, edhe Imamët e shenjtë të Ehli-Bejtit e nderojnë dhe e respektojnë atë.

Aftësitë gjeniale të Fatimes konsiderohen si shembull për ndjekjen e tipareve fisnike nga femra muslimane. Fatimeja është një shembull i përkryer se si vajzat, bashkëshortet dhe nënat duhet të sillen për të ruajtur mirësjelljen dhe karakterin e pastër. Ajo, gjithashtu, na tregon rolin e femrës muslimane në fushën shoqërore brenda kufijve të besimit dhe ndershmërisë. Jeta e saj vërteton që Islami nuk i mohon femrës të drejtën për të marrë njohuri shkencore, kulturore dhe letrare, me kusht që ato ta ruajnë vetveten nga lakuriqësia, pakujdesia, shfrenimi dhe veprime të tilla të ngjashme, që do t’u sillnin brenga dhe do t’ua shkatërronin atyre identitetin.

Besoj se është e pamundur që në botë të ekzistojë një sistem tjetër, përveç Islamit, që e mbron femrën, nderin dhe identitetin e saj.

Në një hadith, i Dërguari i Zotit (s.a.a.) shprehet kështu për vajzën e tij: “Fatimeja është një femër e dëlirë; sa herë që më merr malli për Xhenetin, e puthi atë në qafë.”

I Dërguari i Zotit, gjithashtu, ka thënë: “Fatimeja është pjesë e imja, kushdo që e zemëron atë, më ka zemëruar mua dhe kush e lëndon atë, më ka lënduar mua.”

Nga historia islame dimë se Allahu (xh.sh.) ia ka vënë emrat adhuruesve të Tij të veçantë, si të Pejgamberëve dhe Imamëve, në vend të prindërve të tyre. Që emrin e Fatimes (s.a.) ia ka vënë Allahu (xh.sh.) këtë mund të shohim nga këto fjalë të Imam Al-Bakirit (paqja qoftë mbi të):

“Kur lindi Fatimeja, Allahu (Lavdëruar qoftë Emri i Tij) urdhëroi një engjëll të thoshte emrin e Fatimes përmes gjuhës së Muhamedit.”

Dhe, sipas të Dërguarit (s.a.v.s.), emri Fatime do të thotë: ‘Ajo dhe pasuesit e saj janë të ruajtur nga Ferri.’

Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Fatimeja ka nëntë emra pranë Allahut (Lavdëruar qoftë Emri i Tij). Ato janë: Fatime, Sidika  (e ndershmja), Al-Mubarakah (e bekuara), At-Tahirah (me virtyte), Az-Zekijah (e dëlira), Ar-Radhijatul Mardhijah (ajo që e ka kënaqur Allahun), Al-Muhadathah (një person, përveç pejgamberit, me të cilën flasin engjëjt), Az-Zehra (Madhështore) dhe Al-Adhra (E virgjëra ose e dëlira)”

I Dërguari e kishte shprehi të luante me nipat e tij çdo mëngjes, duke shprehur dashurinë dhe dhembshurinë ndaj tyre. Kurse dashuria e Pejgamberit (s.a.v.s.) për Fatimen ndërthurej gjithashtu me respektin dhe lëvdimin. Kjo dashuri ishte nxitur nga marrëdhënia baba-bijë dhe nga talentet e saj të veçanta dhe veçoritë fisnike që kishte.

Një ditë Fatimeja (s.a.) i vuri përpara të Dërguarit (s.a.v.s.) Hasanin dhe Hysejnin dhe tha: “O i Dërguar! Hasani (r.a.) dhe Hysejni (r.a.) janë fëmijët tuaj, çka do t’i dhurosh atyre?” I Dërguari (s.a.v.s.) tha: “Hasanit ia dhurova madhërinë dhe fisnikërinë, ndërsa Hysjenit guximin.”

Pra, vërejmë se i Dërguari (s.a.v.s.) përpiqej shumë për edukimin e personalitetit të fëmijëve të Fatimes (s.a.).  Njashtu edhe Fatimeja (s.a.), së bashku me Imam Aliun (r.a.), i edukuan fëmijët e tyre si zotërinj dhe njerëz të mëdhenj.

Aisha ka thënë: “S’kam parë njeri më të ngjashëm me të Dërguarin në fjalime dhe biseda sesa Fatimeja. Sa herë që ajo hynte në shtëpi, ai e përshëndeste, ia puthte duart dhe i thoshte asaj të ulej pranë tij. Po ashtu edhe ajo, kur hynte ai, e përshëndeste dhe ia puthte atij duart….”

Si përfundim, nga transmetimet e mësipërme mund të kuptojmë se nuk ishte e çuditshme që ai ia mësoi Fatimes veprimet më të mira dhe e udhëhoqi atë drejt veçorive fisnike dhe sjelljes së shkëlqyer që ajo zotëronte.

Fatimes (s. a.), Allahu (xh. sh.) i dha pesë fëmijë: Hasanin, Hysejnin, Zejnenben, Ummi Gylsymen dhe Muhsinin. I Dërguari (s.a.v.s.) thotë kështu: “Allahu (xh.sh.) pasardhësit e pejgamberëve i ka falur nga kurrizi i tyre, kurse pasardhësit e mi i ka falur nga kurrizi i Aliut,  kështu që unë jam babai i fëmijëve të Fatimes.”

Hz. Zehra (s.a.) e dinte shumë mirë se duke filluar nga qumështi dhe e puthura e pastër e nënës, e deri te lëvizjet, sjelljet dhe fjalët e saj, të gjitha këto lënë gjurmë në shpirtin e ndjeshëm të fëmijës. Fatimeja (s.a.) e dinte se ajo do të bëhej pasqyrë e Islamit, se do ta prezantonte shpirtin e tij dhe të vërtetën e Kuranit dhe se do t’i edukonte Imamët dhe, pikërisht, për këtë arsye, detyra e saj ishte tepër e rëndë.

Fatimeja (s.a.) ishte e gatshme që, kur të ishte nevoja, ta sakrifikonte veten dhe fëmijët e saj për Islamin dhe ishte e gatshme që me gjakun e tyre ta ujiste pemën e Islamit. Edukimi i fëmijëve të tillë nga ana e Hz. Fatimes na tregon për madhështinë e shpirtit të saj dhe forcës së saj të jashtëzakonshme.

Hz. Fatimeja nuk ishte prej atyre grave të cilat nuk i jepnin rëndësinë e duhur gjirit familjar. Gjirin familjar ajo e konsideronte si shumë të rëndësishëm dhe të ndjeshëm,  sepse familja është si një universitet në të cilën edukohen njerëzit. Ajo (s.a.) e dinte se ai i cili edukohej në këtë shkollë do t’i zbatonte në të ardhmen këto mësime në sferën e gjerë të shoqërisë. Hz. Fatimeja nuk e ndjente veten të përçmuar dhe të përulur për shkak se ishte femër, por përkundrazi pozitën e gruas ajo e konsideronte si shumë të lartë. Ajo nuk ngurroi nga përgjegjësia e madhe dhe e rëndësishme që ia kishte caktuar renditja e ekzistencës dhe e shihte veten si të denjë për këtë pozitë.

Fatimeja është një zonjë, që sa më tepër që njerëzimi të ecë përpara, në kuptimin dhe zbulimin e fakteve dhe sekreteve, aq më tepër madhështia dhe personalitetit i saj do të bëhen të dukshme dhe kuptimet e thella të karakteristikave dhe veprimeve të saj do të vlerësohen më shumë.

Share

Pin It

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>