BISEDA ME VETVETEN

BISEDA ME VETVETEN 

 fatemeh zahra

 Shpeshherë, kur dëshirojmë të flasim diçka, fillojmë me fjalët se “kohët e fundit punët nuk janë mirë”, apo ndonjëherë rrëqethemi kur ulemi para televizionit për t’i përcjellë lajmet ditore. Ndokush tjetër interesohet shumë se cilët do të jenë titujt e gazetave të nesërmen? Çfarë do të na ofrojë shtypi… dhe kështu me radhë duke thënë:… edhe unë hasa në një titull që është vështirë të gjendet në shtypin tonë… “Të bëhesh Fatime”

Fatimja, një vajzë e vogël e një babai të madh, shumë e dashur dhe në të njëjtën kohë edhe shumë e dhimbshme. Më pas, një vajzë e re me moral të lartë, të fituar nga një nënë e shkëlqyer. Pastaj një grua e ngritur dhe shumë e dashur për burrin e saj si luan, po ashtu edhe si një nënë e ndritur që ndriçon rrugën e dy pëllumbave të saj, për kujdesin, edukimin dhe formimin e të cilëve ajo nuk lodhet asnjëherë.

Hmmm, Fatimja… Po po, ajo është, Fatimja, bija e Muhammedit (s.a.v.s), të dashurit të Allahut.

Para jush lexues të dashur, do paraqesim një ngjarje të shkurtër nga koha e injorancës, mirëpo kam një kërkesë nga ju. Mos e lexoni vetëm si ngjarje dhe më pas ta harroni atë. Por, kujdes, mundohuni ta ngjallni dhe ta përjetoni sikur ta keni para syve tuaj.

“Në fillim të predikimit të Islamit, përkundër persekutimeve të shumta që iu bënin besimtarëve, ata –mosbesimtarët – nuk mjaftoheshin dhe i torturonin çdoherë e më tepër, e aq më tepër të dërguarin. Ai, i dashuri i Allahut,  edhe përkundër lodhjeve të shumta, nuk hiqte dorë nga misioni i tij, ngase në brendësinë e tij nuk kishte vend pesimizmi. Një ditë vape të madhe, për ta falënderuar dhe madhëruar Krijuesin e vet, i dërguari e vendosi fytyrën e tij të ndritur në dheun e pastër e të nxehtë dhe, duke qëndruar ashtu i kërrusur në sexhaden e shkretëtirës, papritmas mbi trupin e tij njerëzit e prishur hodhën të brendshmet e një deveje. Në ato momente, kur ‘injorantët’ qeshnin dhe brohoritnin dhe kur askush nuk guxonte t’i afrohej që ta ndihmonte, pranë të atit shfaqet si vetëtimë Fatimja, vajza e vogël e babait të madh. Me lot në sy ajo u afrua pranë tij dhe me duart e vogla ia largoi nga supet barrën e hedhur. Po me ata sy të lagur, por me një shikim të mprehtë, ajo i vështroi ata dhe jo vetëm të qeshurat por edhe gojët e tyre u mbyllën… Kjo është ‘bija e babait’ e vogël, mirëpo kur është nevoja di të bëhet edhe ‘nëna e babait’…”

Sigurisht keni kuptuar shumëçka nga kjo ngjarje e vërtetë, mirëpo çfarë duhet të bartim nga kjo ndodhi në ditët të cilat po jetojmë tani?!  S’ka dyshim se trimëria e Fatimes është me shumë rëndësi (është shembull për ty motër), mirëpo ajo më e rëndësishmja është durimi i Pejgamberit.a.s dhe mos tërheqja nga misioni i tij, mision ky  për të cilin ishte i bindur se do ta dërgonte drejt lumturisë së kësaj bote dhe jetës së përjetshme.

Të bëhesh Fatime nuk është vështirë… Ty po të drejtohem motër, ty, ngase ty shumë herë – nëse nuk e teproj, kisha për të thënë çdoherë – të kanë zhveshur nga fizionomia jote, ta kanë zbehur personalitetin dhe karakterin tënd, të kanë vendosur në këllëfë të të tjerëve, jo pse e ke zgjedhur ti vetë këtë, por ngase të është imponuar… Të kanë krahasuar me ato që nuk të takojnë (në veshje, sjellje, ideologji etj.). Me pak fjalë të kanë bërë gjithçka, të kanë bërë Madonë dhe Xhenifer, Marie edhe Draganë… Mirëpo asnjëherë jo edhe Fatime. Të bëj thirrje ta gjesh forcën që të bisedosh pak me veten dhe ta pyesësh: a do të kishe pasur dëshirë që vetëm njëherë të bëhesh Fatime?

Mos të harrojmë se të këqijat në kohën që po jetojmë nuk janë më të pakta se sa në kohën e injorancës. Jo! Të këqijat në kohën tonë moderne ndoshta janë edhe më të shumta, mirëpo ato makiazhohen dhe e fshehin fytyrën reale të tyre, ashtu që të duken më tërheqëse. Dhe është realitet se shumica mashtrohen pas tyre. Por mos u brengosni, pas tyre nuk mashtrohet gjithkush, përveç ‘mendjelehtëve’.

Mirëpo, prapë se prapë, të gjithë neve na duhet të bëhemi Fatime. Edhe nëse jemi të vegjël, duhet të dimë ta shikojmë në sy të keqen, nga është drejtuar ajo, të flasim kundër saj, ta kuptojmë se nga cila anë po fryn, kë po synon dhe këdo që ka zgjedhur (për viktimë) ne duhet  t’i bëhemi perde dhe ta mbrojmë atë.

Sigurisht e dini më mirë se unë fjalën “rri shtrembër e fol drejt”. Shpeshherë kam menduar si ka mundësi që dikush të rrijë shtrembër e të mos ndikohet nga qëndrimi i tij ‘i shtrembër’?! Unë kisha për të thënë pak më ndryshe: “rri drejt e fol drejt”. Zaten, gjithmonë, a nuk duhet të jemi ne të tillë?

Nga brendësia shpeshherë me vjen një zë i fuqishëm e më troket tek veshët: “ruajini fëmijët tuaj, mos i lini në rrugë, mos i lini të bien në mes të zjarrit, dërgojini në shkollë, edukojini ata, kujdesuni për ta…” Por si duket ai zë nuk po tingëllon më shumë se deri tek veshët e mi !!!

Jemi një popull që kemi rininë më të shëndoshë nga komshinjtë që kemi për rreth. A keni menduar ndonjëherë se sa të pakënaqur janë ata që nuk e posedojnë këtë që kemi ne?

Mos harroni, dritaret tona nuk janë hapur asnjëherë për ata (komshinjtë), ato janë thyer…! Edhe pse ndoshta jam gabim, mirëpo gjithnjë më duket se dëshira e komshinjve është që të na bëjnë edhe neve si vetë ata, dhe si duket është duke ardhur era e idesë se “ajo që është në komshi, duhet ta kemi edhe ne në shtëpi”! Edhe një gjë, që dua t’ia përkujtoj vetes e më pastaj edhe juve: kjo rini na drejton ne drejt piedestalit më të lartë, po kjo rini është ajo që ka mundësi edhe të na ngulfat në përroskat më të ndyra.

“Rri drejt dhe fol drejt” ti vëlla dhe ti motër, ti baba dhe ti nënë, ti profesor dhe profesoreshë, ti dhe ti… të gjithë ne. Bëjini pyetje vetes, e më pas edhe të tjerëve: a thua si po edukohen fëmijët tanë? Kush po i edukon ata? Kush po hyn në mendjet dhe në zemrat e tyre? Asaj që i themi ne moral, dashuri, vlerë, besim, sa kanë të bëjnë me fëmijët tanë? Apo mos ndoshta ju, së bashku me fëmijët tuaj, jeni duke ecur këmbëzbathur mbi xhamat e thyer, apo ndoshta veç jeni duke kaluar përmes baltës së lagur?

Po bëj një pyetje, përgjigjen e të cilës nuk e kërkoj nga ju, mirëpo nëse doni me ngulm të përgjigjeni, atëherë përgjigjuni vetvetes: “çfarë do ndodhte nëse dhia kishte për t’u dashuruar me ujkun?”

Allahu na porosit në Kur’anin Famëlartë: “ruajeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” Në këtë botë shpeshherë po shprehim keqardhje për djegien e fëmijëve dhe prindërve të shumtë, mirëpo disa, për shkak se nuk po e shohin zjarrin me sy, nuk po e kuptojnë se në të vërtetë janë duke u djegur… Zoti na ruajt.

Jo, jo, mos e lëkund kokën e as mos më thuaj se kam dalë nga tema. Jo, ende jam tek Fatimja, bija e fytyrës më të ndritur që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Bëj thirrje që vajzat, motrat, nënat, gratë tona në përgjithësi, t’i kthehen vetvetes, ta llogarisin veten para se të llogariten dhe ta kuptojnë se shoqëria jonë ndien nevojën e Fatimeve…

Nëse dëshironi të keni burra të mëdhenj si Aliu, atëherë edukoni Fatime, nëse dëshironi të keni fëmijë të vyeshëm si Hasani e Hysejni prapë edukoni Fatime… dhe vetëm me edukimin e Fatimeve shoqëria jonë do të mbetet e bardhë.

 

Autor: Kadir Aliu

Share

Pin It

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>